Zjarri në magazinë, drejtori i zjarrëfikëses hedh poshtë akuzat: Ndërhyrja jonë nuk ka ndaluar në asnjë moment

Pas nxjerrjes së pajetë të trupit të Arjan Salës, rojes së magazinës së Casa Italia, ka ardhur reagimi i drejtorit të zjarrëfikëses, Shkëlqim Goxhaj. Në një intervistë televizive, Goxhaj tha se puna e zjarrëfikëses nuk ka ndalur asnjë moment, duke hedhur poshtë akuzat se shërbimi i zjarrfikëses nuk ka pasur pajisjet e duhura.
Ai tregoi se situata ishte e vështirë, duke theksuar se gjetja e trupit të 32-vjeçarit është bërë duke fikur zjarrin me fikëse dore. “Situata ka qenë shumë e vështirë, por asnjë sekond nuk është ndalur lufta me zjarrin. Edhe qytetarët edhe vetë familjarët e kanë parë se si është bërë ndërhyrja. Disa media kanë thënë se shërbimi i zjarrfikëses nuk ka mjetet e duhura, por ju them se ndërhyrja për të fikur zjarrin nuk ka ndaluar asnjë moment.
Ritheksoj se që në momentin e parë kur shërbimi është njoftuar janë ofruar pesë zjarrfikëse. Po ashtu edhe unë vetë që në kur jam ofruar për ndihmë nuk jam larguar në asnjë moment. Deri tani ka shumë pak pamje që janë shpërndarë nga lufta me zjarrin, por do të sjellim të tjera. Trupi i të ndjerit është gjetur pranë mesit të magazinës, ai ka qenë duke luftuar zjarrin me fikëse dorë.
Sot do të nxjerrim konkluzionet dhe do të dalim në një përfundim se për çfarë arsye ka rënë zjarri në magazinën e qendrën e “Casa Italia”. Ne kemi kqyrur të gjithë pajisjet e inertet në magazinë dhe jam i sigurt që në objekt nuk ka trup tjetër. Theksoj për të gjithë dyshuesit, se stacioni i shërbimit të zjarrfikës së Bashkisë së Tiranës është në gjendje të përballojë çdo lloj fatkeqësie të rënies së zjarrit”, tha ai.


