Zjarri doli nga kontrolli: Arrestohet 41-vjeçari që dogji 10 hektarë në Rrogozhinë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në lagjen e Shimve, në Rrogozhinë, duke djegur qindra pemë ulliri, pemë frutore dhe rreth 10 hektarë bimësi. Flakët kanë rrezikuar seriozisht edhe disa banesa përreth, duke vënë në alarm autoritetet vendore.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe policisë, u bë e mundur fikja e zjarrit pas disa orësh përpjekjesh intensive. Ndërkohë, Policia e Rrogozhinës ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies, 41-vjeçarin Iljaz Rusta, banues në zonë.
Sipas hetimeve, Rusta kishte ndezur zjarr në oborrin e një banese për të djegur mbeturina, por për shkak të erës së fortë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi në zonën përreth.
Autoritetet e kanë proceduar penalisht për veprën “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve të shmangin zjarrvëniet, të cilat, përveç dëmeve në mjedis dhe ekonomi, përbëjnë edhe vepër penale që ndëshkohet sipas ligjit në fuqi.


