Zjarr me përmasa të mëdha në Konispol, digjet një banesë në Markat, rrezikohen dhe banesat e tjera

Një zjarr me përmasa të mëdha është përhapur këtë të shtunë në zonën e Konispolit, duke vënë në alarm banorët dhe autoritetet lokale.
Fillimisht, flakët u aktivizuan që dje në fshatin Ninat, ku forcat zjarrfikëse të Konispolit dhe banorët punuan gjatë natës për të ndaluar përhapjen. Megjithatë, situata u përkeqësua mëngjesin e sotëm, pasi zjarri u riaktivizua në fshatin Markat, duke shkaktuar dëme serioze.
Sipas informacioneve nga terreni, një banesë është djegur plotësisht, ndërsa disa të tjera janë ende në rrezik. Banorët kanë ndërhyrë për të shpëtuar çfarë kanë mundur dhe janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Aktualisht, në vendngjarje ndodhet vetëm një mjet zjarrfikës, ndërkohë që në ndihmë janë angazhuar efektivë të Policisë së Sarandës, zjarrfikësja e Finiqit dhe dy mjete të ushtrisë për të ndihmuar në izolimin e zjarrit.
Situata mbetet kritike dhe autoritetet kërkojnë ndihmë të menjëhershme për të shmangur përhapjen drejt zonave të tjera të banuara.


