Zgjedhja e Presidentit, mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Fillon mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, për përcaktimin e datës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Nga ana e Opozitës, të pranishëm janë deputetët Enkelejd Alibeaj, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Flutura Açka, Mesila Doda dhe Fatmir Mediu.
Ndërkohë, kujtojmë se deri më tani nuk është dhënë asnjë emër zyrtar për Presidentin e ri.
Në mbledhjen e kaluar të Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se raundi i parë për votimin e Presidentit do të jetë data 16 maj.
Në nisje të mbledhjes kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se propozimi i socialistëve është që votimi i parë të zhvillohet në datën 16 maj.
Debati në mbledhje
Balla: I qëndroj propozimit të bërë për të bërë votimin e parë në datën 16 maj në orën 17:00. Kjo datë është një datë e përshtatshme dhe brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuta.
Açka: Më kujtohet shumë mirë kur u zgjodh Meta, dhe një trashje zëri e Ramës që tha “dil tani dhe mbylle këtë punë”. E dëgjova edhe dëshirën tuaj për të negociuar me opozitën. Por unë kam drojet e mia dhe për shkak të asaj që ka ndodhur katër vite më parë, kam frikërat e mia në këtë pikë. Çfarë ka ndodhur? E shatë, e bëtë, hëngrët ngjala me të, e lëvduat, e çuat në Kushtetuese, tani do ti bëni funeralin politik. Tani duhet ti kërkonit një ndjesë qytetarëve për këtë. Ju hapët një process që këtu e shitët si proces të mbyllur që u takonte vetëm ju.