Zbardhen detaje të tjera nga krimi në Has, konflikti nisi për shkak të rrugës që është hapur mes tokave

Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti në fshatin Pla në Has ku mbeti i vrarë 34-vjeçari.
Sipas raportimeve Benet Beqiri konflikti ka nisur për shkak të një rruge e cila ndante dy shtëpitë.Toka ka qenë më parë e ish-ndërmarrjes bujqësore dhe ka qenë pa certifikatë pronësie.
Mësohet se një nga nga familjet ka hapur edhe rrugë kalimi vite më parë. Gjurma e rrugës ka qenë burim konfliktesh prej vitesh, pasi dy familjet pretendojnë se rruga ka prekur pronat e tyre. Rruga që bëhet fjalë është dhe ajo që shihet në foto.
Përplasja mes familjeve Sallahu dhe Jaku ka pasur në thelb mosmarrëveshje për çështje pronësore, që kanë degjeneruar në dhunë fizike dhe përfunduan tragjikisht me humbjen e një jete.Policia njoftoi sot arrestimin e një 21-vjeçareje, motrës së viktimës, me inicialet A. S., e cila akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “plagosje të lehtë me dashje”.
Dyshohet se ajo ka sulmuar me mjete të forta prindërit e autorit të vrasjes, shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe. Sipas burimeve zyrtare, babai është jashtë rrezikut për jetën pas ndërhyrjes mjekësore, ndërsa e ëma vijon të jetë nën trajtim në spital.Policia lokale ka referuar materialet për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Kukësit. Megjithëse ndalimi i vajzës u krye në kohë, ngjarja tragjike nuk u arrit të parandalohej.


