Vrasja në Ndroq dhe lidhja me Altin Hajrin? Reagon SPAK: 50-vjeçari s’ka lidhje me pengmarrjen e Jan Prengës!

Aktualitet

Vrasja në Ndroq dhe lidhja me Altin Hajrin? Reagon SPAK: 50-vjeçari

Është ekzekutuar më armë zjarri në një lokal në Ndroq mbrëmjen e djeshme 50-vjeçari Alfred Dedja, ndërsa autori i dyshuar, 26-vjeçari Julian Gjoshi, është dorëzuar sot në polici.

Gjoshi rezulton të jetë kunati i të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri, ndërsa një ditë më parë në disa media u raportua se edhe viktima kishte njohje me këtë të fundit, dhe se kishte punuar në hotelin e tij, duke e lidhur me ngjarjen kriminale të 2020, ku u ekzekutua Jan Prenga.

Por SPAK ka reaguar këtë pasdite duke deklaruar se viktima nuk ka asnjë lidhje dhe nuk rezulton të ketë punuar në kompleksin e Hajrit.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj.

Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.

I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjës për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri”, thuhet në komunikatën zyrtare të SPAK.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion