Vijon shembja e objekteve pa leje në Theth, Kuvendi i Burrave mblidhet para Kishës: Të ndalet aksioni

Aktualitet

Vijon shembja e objekteve pa leje në Theth, Kuvendi i Burrave mblidhet para

Fadromat e IKMT-së mbështetur nga forcat e rendit kanë vijuar shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Në ditën e 7 të aksionit situata duket e qetë, por paralelisht me aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, para Kishës simbol të Thethit, u mblodh si dikur Kuvendi i Burrave.

Takimi vjen pak para meshës të së dielës, që mbahet në orën 14:00 në Kishën e Thethit.

Dhjetëra banorë të zonës u mblodhën bashkë këmbëkryq duke diskutuar aksionin dhe prishjen e bujtinave. Mes tyre ka një dakordësi për t’i kërkuar qeverisë ndaljen e aksionin, si edhe gjetjen e një rrugëzgjidhje për këtë situatë. Banorët kërkojnë të mësojnë më shumë se si mund të bëhen pjesë e paketës së maleve për të ndërtuar bujtinat.

Nga ana tjetër, prifti ka bërë thirrje për dialog, ndërsa kujtojmë që Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka reaguar ndaj aksioneve duke dalë në krah të banorëve të zonës dhe mbrojtjes së mjedisit, sipas shqiptares.

Deri më tani janë prishur rreth 70 objekte pa leje ndërsa aksioni po vijon. Në mbështetje të fadromave të IKMT në terren kanë shkuar dhjetëra forca policie pasi herë pas here situata tensionohet nga banorët, të cilët kanë pasur edhe përplasje me efektivët.

Paralelisht, strukturat e bashkisë po punojnë për heqjen e inerteve dhe pastrimin e zonës për të mos pasur impakt tek të huajt që po vizitojnë Thethin në këtë periudhë.

ME TE LEXUARAT