U arratis katër herë nga bur'gu, Taulant Tomën e cilësojnë në Spanjë si anëtar i mafies UFO

I arratisuri shqiptar, Taulant Toma, 41 vjeç, është arrestuar në Tarragona të Spanjës nga Policia Kombëtare, pas një urdhër-arresti evropian. Toma ishte arratisur në dhjetor 2025 nga burgu Opera në Milano dhe aktualisht ndodhet në burgun Mas Enric, në pritje të ekstradimit drejt Italisë.
Arrestimi shënon arratisjen e katërt nga burgu gjatë karrierës së tij kriminale, duke i siguruar nofkën “Mjeshtri i Arratisjeve”. Autoritetet italiane e konsiderojnë person me rrezikshmëri të lartë dhe e lidhin me trafikun e drogës, armëve, grabitjet dhe organizatën kriminale shqiptare “UFO”, të drejtuar nga Ilir Paja.
Sipas hetimeve, Toma konsiderohet një prej njerëzve më të besuar të Pajës. Edhe kreu i kësaj organizate është i njohur për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet italiane.
Arratisja e fundit e Tomës ndodhi në burgun Opera, ku ai dyshohet se kishte sharruar hekurat e qelisë, ishte dobësuar për të kaluar në hapësirën e ngushtë dhe më pas kishte zbritur nga muri me një litar të improvizuar.
Toma ishte arratisur më parë edhe nga burgjet në Itali dhe Belgjikë, ndërsa pas arrestimit në Spanjë pritet të ekstradohet në Itali, ku do të përballet me çështjet penale ndaj tij.


