Tragjedi në Fushë-Milot, 78-vjeçari digjet i gjallë ndërsa përpiqej të digjte mbeturinat në bahçen e tij

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Fushë-Milot, ku një 78-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u përfshi nga flakët ndërsa po digjte mbeturina në bahçen e shtëpisë së tij.
Viktima është identifikuar si Demer Haxhiu. Sipas informacioneve paraprake, i moshuari kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturinat, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit për shkak të erës dhe terrenit të thatë. Në përpjekje për të vënë situatën nën kontroll, ai është kapluar nga zjarri, duke pësuar djegie të rënda në trup që i kanë marrë jetën në vend.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Laçit dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë tragjedi. Paraprakisht dyshohet se rasti është aksidental, por nuk përjashtohet asnjë pistë pa u kryer hetimet e nevojshme.
Ngjarja ngre sërish alarmin për rrezikun që sjell ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, veçanërisht në kushte të thata dhe të nxehta si ato që po përjeton vendi këtë verë. Autoritetet i bëjnë apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve për djegie mbeturinash dhe të kërkojnë ndihmën e zjarrfikësve në raste të rrezikshme.


