SPAK shpall zyrtarisht të pandehur Fatmir Mediun për tragjedinë e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes do...

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi zyrtarisht dje të marrë të pandehur kreun e Partisë Republikanë, Fatmir Mediun, lidhur me veprimet e tij në kohën kur ishte Ministër i Mbrojtjes për demontimin e armëve në Gërdec, ku ndodhi tragjedia e 2008 me vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm.
Konkretisht, prokurorët e çështjes kanë mbyllur hetimet dhe dosjen ia dërguan Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Zyrtarisht, Mediu akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, i kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe Kodin Penal Ushtarak.
Tashmë, deputeti i opozitës i duhet të përballet me drejtësinë shqiptare për të dhënë shpjegime për një skandalet me pasojat më tragjike në historinë e shtetit shqiptar. Në këtë situatë, rrezikohen që pas tij të përballen me drejtësinë edhe ish-zyrtarë të lartë qeverisë së kohës, ish-kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha, ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, etj.
Akuzat konkrete, Mediu dhe vartësit e tij shkelën ligjin dhe VKM për çmontimin e armëve
Sipas SPAK, Mediu së bashku me zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe funksionarë ushtarakë shqiptarë kanë vepruar në kundravajtje me ligjin për demontimin e armëve luftarake dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 14 mars 2007 për “Për proçedurën e trajtimit te armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.
Ata kanë nxjerrë akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe VKM e sipërpërmendur duke “dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë ‘SAC inc’ (Southern Ammunition Company Inc, administrator Patrick Henry dhe Albademil sh.p.k. (në pronësi të Mihal Delijorgjit, administronte fabrikën e Gërdecit)”.
Mediu hetohet dhe për procesin e shitjes së fishekëve nga Ylli Pinari te Diveroli
Një tjetër proces që SPAK ka hetuar lidhur me Fatmir Mediun ka të bëjë me shitjen e municioneve luftarake (kryesisht fishekë kinezë) nga Ministria e Mbrojtjes dhe kompania shqiptare “MEICO” (në pronësi të Ylli Pinarit) te shoqëritë e huaja “Evdin” ltd në Qipri dhe “AEY” në Florida, kjo e fundit në pronësi të Efraim Diverolit.
Nuk mbaron me kaq, Mediu hetohet dhe për korrupsion e pastrim parash
Megjithatë, çështja “Gërdeci” për deputetin e opozitës dhe aleatin e PD, Fatmir Mediu, nuk mbyllet me kaq. SPAK konfirmoi se po vazhdon hetimet ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Mediu s’hetohet për “vrasje shtetërore”, befasuese si shkeli VKM e qeverisë ku bënte pjesë
Ajo çfarë bie në sy, është fakti se Mediu nuk po procedohet penalisht për veprën penale “vrasje shtetërore” lidhur me Gërdecin, duke lënë të kuptohet se drejtësia dhe pushteti politik duan ta shpëtojnë me një dënim të negociuar minimal. Për më tepër, të befason fakti se si Fatmir Mediu ka vepruar haptazi në kundërshtim me ligjin dhe VKM për çmontimin e armëve, duke u sjellë haptazi kundër veprimtarisë së qeverisë ku bënte pjesë dhe ligjeve të shtetit.
Këtu mund të aludohet se vetë ai mund të ketë mbështetje në rrugë të fshehtë nga eksponentë më të lartë të shtetit të kohës apo rreth personat të lidhur me të kupolën shtetërore për të vepruar në kundravajtje të hapur, ndoshta nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha.
Mediu: Shpallja ime si i pandehur në kundërshtim me ligjin, po më bëhet sulm politik
Pasditen e djeshme, Fatmir Mediu reagoi pas lajmit se SPAK kërkon të merret si i pandehur në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes që ka pasur kompetenca për procesin e demontimit të armëve në fabrikën e Gërdecit, ku ndodhi tragjedia e 15 marsit 2008.
Në rrjetet sociale, kreu i PR u shpreh se ky proces ndaj tij është kryer në kundërshtim me ligjin dhe e konsideron këtë aksion ligjor si sulm të stisur politik ndaj tij. “Ngarkimi me përgjegjësi penale i ministrit për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes së tij edhe si ministër, është në kundërshtim të plotë me ligjin.
Kjo çështje e gjykuar dhe rigjykuar në të tre shkallët e gjyqësorit, ndërtohet mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK”, komentoi Mediu./bw