Skandali me letrat e SHISH, SPAK gjen dokumentet sekrete në shtëpinë e bashkëpunëtorit të Ilir Prodës, Ergys Agasit

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksionin e SPAK, të zhvilluar mëngjesin e sotëm në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Me vendim të GJKKO-së, ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, është caktuar masa “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra.
Masa ndaj Hysenit është vendosur pas hetimeve të mëtejshme mbi disa materiale të klasifikuara sekret, që dyshohet se kanë dalë nga SHISH dhe që u gjetën gjatë kontrolleve të kryera në banesën e Uljan Shpatarakut.
Kontrollet u kryen më 26 gusht, kur Shpataraku u arrestua teksa ndodhej në një makinë me Ergys Agasin.
Masa ndaj Hysenit ende nuk është ekzekutuar, pasi sipas të dhënave të publikuara ajo ndodhet jashtë vendit. Ajo akuzohet për veprat penale: “përkrahje e autorit të krimit” dhe “nxjerrje e sekretit shtetëror”.
Në këtë aksion, BKH kreu kontrolle edhe në banesën e ish-kreut të policisë, Ilir Prodës. Disa orë pas kontrolleve, ai u paraqit në SPAK.
Kujtojmë se Uljan Shpataraku njihet si krahu i djathtë i Prodës, kur të dy ishin pjesë e strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit.


