Skandali i AKSHI-t/ SPAK kontrolle në banesën e Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit e Ermal Beqirit! Çfarë u sekuestrua

Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar kontrolle të disa biznesmenëve, zyrtarë të Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe bashkëpunëtorëve të Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, të shpallur në kërkim si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal.
Dy biznesmenët akuzohet se përmes pengmarrjes e shantazheve kanë detyruar Gerond Meçen të tërhiqej nga tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Referuar dokumenteve, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesa për kontroll personal dhe të banesës për shtetasit Gëzim Toska, Renato Hristiç, Elon Ciko, Elgerti Bixha, Kreshnik Tërnova, Arjola Koromani, Endri Merkaj, si dhe subjektit ”Merkaj 3’.
Ndërsa është ushtruar kontroll në banesat e Ergys Agasit, Ermal Beqirit, drejtoreshës së AKSHIT, Mirlinda Karcanaj dhe zëvendëses së saj Hava Delibashi, si dhe 4 të dyshuarve të tjerë.
Mësohet se gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan materiale si dhe celularë e pajisje kompjuterike, të cilat mendohet se do t’i shërbejnë hetimit.
Kontrollet kanë p[përfunduar mbrëmjen e së martës dhe pajisjet kompjuterike janë dërguar për ekspertim.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se grupi kriminal rrëmbeu për disa orë biznesmenin Gerond Mece, të cilin përmes kërcënimit e detyruan të hiqte dorë nga ankimet për disa procedura tenderuese.
Me ndihmën e drejtueseve të AKSHTI, kriteret e tenderave përshtateshin në mënyrë të tillë që fitoheshin nga kompanitë e Ermal Beqirit, ndërsa dyshohet se grupi ka pastruar miliona euro.
AKUZAT E SPAK
Janë zbardhur akuzat e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndaj Hava Delibashit, po ashtu nën “Arrest në shtëpi”, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.


