Situata e zjarreve, Rama: Kemi mbyllur procedurën për 3 avionë zjarrfikës, ja kur pritet të vijnë

Aktualitet

Situata e zjarreve, Rama: Kemi mbyllur procedurën për 3 avionë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në një takim me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile në Bazën Ajrore të Farkës, ku bëri thirrje për gatishmëri maksimale përballë rritjes së temperaturave dhe rrezikut të lartë të zjarreve. Teksa solli në vëmendje situatën kritike në Francë e Spanjë, kreu i qeverisë shprehu solidaritet me trupat ndërkombëtare dhe konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u ardhur në ndihmë vendeve fqinje në rast nevoje.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi se ky sezon do të jetë një provë e fortë për të matur kapacitetet dhe përmirësimet e bëra në koordinimin e forcave në terren. Ai bëri me dije se këtë vit koordinimi po ndiqet nga Ministri i Pushtetit Vendor dhe se vendi ka në dispozicion teknologji që nuk i ka pasur më parë, përfshirë katër helikopterë në gatishmëri të plotë. Veç kësaj, Rama njoftoi se janë mbyllur procedurat për blerjen e tre avionëve të rinj zjarrfikës, të cilët do t’i shtohen flotës në fund të këtij viti, ndërkohë që është dakordësuar mbështetja me mjete ajrore nga bazat partnere në rast se vendi do të përballet me emergjenca kritike.

“Në Francë dhe Spanjë, mbi 300 mijë njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve. Hektarët e djegur kanë kaluar shifrën 200 mijë, një sipërfaqe më e madhe sesa Bashkia e Tiranës. Kolegët tuaj janë në një front ferri prej ditësh, të nxirë nga bloza, me pamje të paimagjinueshme.  Askush nga ju që i jeni përkushtuar këtij profesioni nuk i shikon ata si të huaj, sepse ajo është pamja e një lufte të përbashkët.

Dhe kur sheh qindra mijëra njerëz që ikin të lemerisur me çfarë u gjendet mundësia të marrin, është njësoj sikur të shohësh njerëzit tanë, sepse rreziku dhe sfida janë të njëjta. Ndaj dua që edhe me lejen tuaj t’u përcjell një shprehje solidariteti të gjithë kolegëve tuaj në Francë dhe Spanjë. Ne e kemi bërë edhe në të shkuarën. Nëse na kërkohet të japim ndihmën tonë modeste, do t’u përgjigjemi, siç bëmë vjet dhe pardje, kur fqinjët tanë kanë qenë në hall dhe na janë përgjigjur edhe neve.

Solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij. Zjarret nuk janë më një përjashtim i një vendi apo i një vere të keqe. Janë rregulli i një klime që ka ndryshuar. Ajo që po ndodh këto ditë në Spanjë dhe Francë mund të ndodhë edhe te ne. Duhet të pyesim veten se sa të përgatitur jemi nëse ndodh.

Shqipëria është shumë e vogël dhe nuk ka luksin të humbasë asnjë hektar pyll. Gjithçka që kemi bërë këtë vit në përgatitje, ky sezon do të jetë një provë për të parë se çfarë jemi përpjekur të përmirësojmë, të kemi një performancë të mirë dhe të jemi një trup i vetëm. Kjo provë kërkon përgatitje dhe sa më pak improvizim, disiplinë, investim dhe koordinim. Në këtë drejtim kemi bërë përparim. E reja e këtij viti është se ministri i Pushtetit Vendor ka luajtur rolin e koordinatorit të gjithë këtyre forcave, ku kemi në dispozicion kapacitetet teknologjike që nuk i kemi pasur më parë. Kemi katër helikopterë të gatshëm. Ndërkohë kemi mbyllur procedurën për tre avionë, të cilët do të vijnë në fund të vitit, dhe kemi procesin të dakordësuar që, në momentin e një nevoje, të kemi në dispozicion avionë që vijnë nga ajo bazë ku po përgatiten. Ata do të jenë avionët e rinj që do të merren në fund të këtij viti”, u shpreh Rama.

ME TE LEXUARAT