Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra zjarri, 5 janë shuar

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend gjatë orëve të fundit.
Sipas asaj që bëhet me dije, deri në orën 12:00 janë raportuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë shuar pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren.
Ndëkrohë që aktualisht kanë mbetur aktive edhe 2 vatra të tjera zjarri. Bëhet fjalë për zjarrin në Llaman, të bashkisë së Himarës, ku janë angazhuar automjete zjarrifikëse, helikopterë dhe forca Shërbimi Pyjor. Po ashtu, aktive mbetet edhe një vatër zjarri në Kolsh të Kukësit.
Njoftimi:
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 12:00, datë 23.06.2025, janë raportuar 7 vatra zjarri.
Nga këto janë shuar 5 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri.
Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
1. Në lagjen “Mulliri i Artë”, bashkia Delvinë.
2. Në fshatin Alarup, njësia administrative Çërravë, bashkia Pogradec.
3. Në në rrugën e Elbasanit, njësia administrative Nr. 2, bashkia Tiranë.
4. Në fshatin Rilë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë.
5. Në fshatin Malaj, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
Qarku Vlorë
1. Në fshatin Llaman, bashkia Himarë, vatra e zjarrit është ende aktive, janë duke operuar: 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Himarë, 40 efektivë FA nga DRM Gjirokastër me 4 automjete transporti dhe 1 helikopter i FA.
Në mbështetje nga bashkia Himarë në terren janë edhe 30 forca nga Shërbimi Pyjor, nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Himarë, nga njësitë administrative Himarë, Horë – Vranisht dhe Lukovë.
Qarku Kukës.
2. Në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, situata drejt përmirësimit.


