Situata e zjarreve në Shqipëri/ Operacione nga toka dhe ajri në 14 zona, angazhohen qindra forca zjarrfikëse

Aktualitet

Situata e zjarreve në Shqipëri/ Operacione nga toka dhe ajri në

Më 28 korrik 2025, forcat e Armatosura të Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe emergjencat civile vendore, vijojnë punën intensive për të përballuar zjarret që kanë përfshirë vendin në 14 zona të ndryshme.

Sipas të dhënave zyrtare, në terren janë angazhuar 953 efektivë dhe 56 mjete zjarrfikëse. Në operacion po marrin pjesë edhe 4 helikopterë, si dhe një avion Canadair nga Italia, i dërguar në kuadër të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që ndihmon në shuarjen e flakëve nga ajri.

Zjarret janë aktive në zona të vështira dhe me terrene të thyer, që e bëjnë punën më të ndërlikuar për zjarrfikësit. Zona më të prekura janë:

• Parku Kombëtar i Lurës (Dibër)
• Zall Gjoçaj (Mat)
• Qafë Buall (Bulqizë) / Plan i Bardhë (Klos)
• Kalasë (Delvinë)
• Markat (Konispol)
• Piqeras & Sasaj (Himarë)
• Fang & Kulme (Rrëshen)
• Dishnicë (Korçë)
• Parku i Prespës (Pustec)
• Fushëbardhë & Skërficë (Gjirokastër)
• Dragobi & Mali i Shkëlzenit (Tropojë)
• Shëngjergj (Tiranë)
• Kuç (Vorë) / Shetel (Shijak)
• Bjeshka e Rahovicës (Malësi e Madhe)


Temperaturat e larta dhe terrenet e thyer favorizojnë përhapjen e flakëve, duke rritur rrezikun për banesat dhe mjedisin natyror. Ndërhyrjet po vijojnë me intensitet nga toka dhe ajri për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të minimizuar dëmet.

Forcat e emergjencës apelojnë për kujdes maksimal nga banorët dhe bashkëpunim në zbatimin e masave parandaluese gjatë kësaj periudhe kritike.

ME TE LEXUARAT