Si ndodhi atentati ndaj Kevin Hajrullës?/ Zbardhet dinamika: Breshëria e plumbave e goditi sapo hipi në makinë

Aktualitet

Si ndodhi atentati ndaj Kevin Hajrullës?/ Zbardhet dinamika: Breshëria

Në emisionin Në Shënjestër në News24 u trajtua tema e përplasjes së dhunshme mes familjeve kriminale në Shqipëri, me fokus në atentatet e fundit ndaj anëtarëve të familjeve Hajrulla dhe Sinomataj.

Para atentatit me eksploziv të kryer ndaj Bernard Sinomataj në apartamentin e tij në katin e 9-të në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë, mbrëmjen e 22 dhjetorit 2024, një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur vetëm një javë më parë rreth 150 kilometra larg kryeqytetit. Ky incident, i cili duket si një mesazh i qartë për thyerjen e armëpushimit dhe rifillimin e konfliktit mes kundërshtarëve të vjetër, ndodhi në qytetin e Vlorës dhe kishte si viktimë Kevin Hajrullën.

Kevin Hajrulla, punonjës në një call center, do të kishte qenë i panjohur për shumicën po të mos ishte për mbiemrin e tij dhe për lidhjet që mbante. Mbiemër ky që në Vlorë lidhet me një prej figurave të njohura të botës së errët, të cilat dyshohet se kanë marrë drejtimin e punëve të liga pas vrasjes së shefit të mëparshëm të krimit në këtë zonë.

Atentati ndaj Kevin Hajrullës, i cili mbeti i plagosur rëndë, ngjalli shumë dyshime për pistën e hakmarrjes dhe lidhej ngushtë me përplasjet midis familjeve Hajrulla dhe Sinomataj. Pak ditë pas sulmit ndaj Kevin Hajrullës, u krye atentati me dron me eksploziv ndaj Bernard Sinomataj në Tiranë, duke konfirmuar kështu se tensionet mes këtyre familjeve vijonin.

Ngjarja në Vlorë ndodhi mbrëmjen e 18 dhjetorit 2024, kur Kevin Hajrulla sapo kishte pirë një kafe me miqtë e tij në një lokal të zonës. Kur doli dhe u afrua tek makina e tij ‘Mercedes Benz’, një automjet tjetër që kishte qëndruar për disa minuta në fund të rrugës u afrua dhe breshëri plumbash u shkrep mbi të. Dyshohet se autorët kishin informacion të plotë dhe të verifikuar për objektivin e tyre, gjë që dëshmohet edhe nga mënyra e organizimit të atentatit.

Përveç Kevin Hajrullës, plagoset edhe një shitës fruta-perimesh, i cili fatmirësisht shpëtoi pa humbur jetën. Ndërkohë që policia konfirmoi se Kevin Hajrulla, rreth 30 vjeç, u plagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Pak minuta pas atentatit, në fshatin Panaja të Vlorës u dogj një makinë që dyshohet se u përdor nga autorët për largimin, makinë e vjedhur në Maqedoninë e Veriut, një praktikë e zakonshme në krimet e organizuara.

Hetimet e policisë përqendrohen në lidhjet familjare të viktimës dhe intensifikimin e konfliktit mes grupeve kriminale për kontrollin e territorit. Plumbat që u qëlluan mbi makinën e Kevin Hajrullës, në numër prej 24, tregojnë ashpërsinë dhe vendosmërinë e atentatit për eliminimin e tij./bw

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion