"Si hoteli luksoz në Santorini" / Dy e-maile të reja fundosin Belinda Ballukun për supervilën në Palasë

Vila në Palasë e sekuestruar një ditë më parë, e cila sipas SPAK-ut është në “pronësi faktike” të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ishte projektuar që në fillim për të qenë sa më luksoze, me pishinë dhe vaska hidromasazhi si ato të hoteleve të shtrenjta në ishullin e famshëm grek Santorini.
Të paktën kështu rezulton nga dy e-maile, pjesë e provave të Prokurorisë së Posaçme, të cilat i janë dërguar Ballukut nga studio “Atelier 4”. Ato datojnë në shtator të vitit 2020, një muaj përpara se të firmosej kontrata e sipërmarrjes nga Igli Tare, personi që sipas SPAK-ut ka shërbyer për të fshehur pronësinë e vërtetë të vilës.
Vila e saj mesa duket ndan të njëjtin territor me një tjetër, e cila mendohet se i përket sipërmarrësit Arbër Abazi. Ky i fundit dyshohet të ketë marrë përsipër investimin për përfundimin e vilës, në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij të ndërtimit, “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese në tetor të 2021 për një nga lotet e Unazës së madhe të Tiranës, në një tender afro 2.7 miliardë lekësh (me Tvsh).
Ndërtimi në momentin kur janë nisur dy email-et, duket të ketë qenë në fazë ende të hershme, por nga përmbajtja e tyre, Balluku shfaqet të ketë qenë e interesuar që të ketë një ide të plotë e të qartë, se si do të dukej vila, e cila ka përfunduar në vitin 2025. Madje lihet të kuptohet se studio e arkitekturës i ka dërguar më herët një tjetër variant.
“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënie në një nivel me ujin, që të shijohet në maksimum infinity pool. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë”, shkruhet në email.
Por projekti parashikon edhe vaska hidromasazhi sipas modeleve të një Luxury Hotel, “Rocabella’ në ishullin grek Santorini, i njohur për klientelën e pasur të tij.
“Në 2 krahët anësore të shtëpive niveli i hyrjes dhe i suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini)”, është sugjerimi i studios, e cila e njofton se do t’i ofrojë disa variante për dhomat “suitë”.
“Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek master bedroom janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me teak për një felling pak më të ngrohtë e pak si jaht”, shkruhet në tekst.
Në e-mail studio i thotë se shumë shpejt do t’i dërgojë projektin të realizuar në render dhe “nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”.
Pas 4 ditësh, më 18 shtator, përmes një tjetër emaili, studio “Atelier 4”, i dërgon Ballukut një dokument me 11 fletë që përmban planimetrinë dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave të emërtuara si “Vilat binjake”.
Vila në Palasë, ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me një sipërfaqe totale prej 271.2 metra katrorë dhe dy garazhe njëri 20 dhe tjetri 40 metra katrorë.
Më herët SPAK i kishte sekuestruar një vilë, po në bregdetin e jugut, në kompleksin “White Rock” në Dhërmi, edhe kjo e regjistruar në emër të Tares. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme kishte shpjeguar se ajo kishte qenë fryt i një ryshfeti, në këmbim të një tenderi që ajo kishte dhënë për rindërtimin e godinës së Albcontrol-it, në kohën kur kishte drejtuar këtë institucion.
Përveç dyshimeve për shkelje të barazisë në tendera në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), për korrupsion e pastrim parash, Ballukut i është shtuar dhe një tjetër vepër penale, ajo e “mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë”.


