Shqipëria e para në rajon për shkencë dhe matematikë – ana tjetër e rezultateve të PISA-s: Gjysma e 15-vjeçarëve nuk..

Aktualitet

Shqipëria e para në rajon për shkencë dhe matematikë

Rezultatet e Pisa 2025 tregojnë një përmirësim të Shqipërisë në testin ndërkombëtar për 15-vjeçarët.

Krahasuar me të dhënat e 2022 në lëndën e matematikës rritja është me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë ndërsa në lexim me 50 pikë.

Në rajon Shqipëria renditet e para në shkencë dhe matematikë duke lënë pas Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën por edhe Greqinë. Lajmi mori dhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama i cili përgëzoi arritjen e nxënësve.

“Të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe në çdo sektor, por që në këtë rast i bën një nder shumë të madh, një nder shumë të madh jo qeverisë thjesht, por i bën një nder shumë të madh në radhë të parë të gjithë atyre që kanë në duar fëmijët tanë. I bën një nder shumë të madh edhe drejtuesve të shkollave, natyrisht gjithmonë pas mësuesve”, tha Rama.

Megjithatë në analizën e PISA, Shqipëria ka mangësi pasi rezulton nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Të dhënat tregojnë se 61% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin minimal të aftësive në shkencë, 55% në matematikë dhe më shqetësuese paraqitet gjendja në lexim, ku rreth gjysma e 15-vjeçarëve nuk arritën nivelin bazë të aftësive të përcaktuar nga PISA.

Vlerësimi ndërkombëtar rendit Shqipërinë në vendin e katërt nga fundi në lexim, ku përparon në këtë fushë Rumania, Mal i Zi apo Serbia.

Të dhënat zbulojnë se në performancë absolute Shqipëria nuk ka asnjë 15-vjeçarë në lexim, teksa në shkencë janë vetëm 1% në top rezultate dhe në matematikë 2%. Në vlerësim morën pjesë 5 959 nxënës nga 160 shkolla shqiptare, teksa PISA zhvillohet si një test në 90 vende të botës.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion