Shiste tritol, granata dhe lëndë plasëse/ Arrestohet 52-vjeçari nga Fushë-Kruja, rezulton me precedent penal

Një 52-vjeçar i identifikuar si Petrit Çeça është arrestuar pasi po transportonte granata luftarake, kapsolla detonatore dhe tritol, me qëllim shitjen e tyre.
Policia ka sekuestruar granata dore luftarake, ndezës unifikues granatash, 600 gramë lëndë plasëse tritol, një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si edhe kapsolla detonatore.
“Gjatë operacionit policor “porosia”, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.