Rreth 2 orë i bllokuar nga protestuesit në Kryeministri, Rama largohet nga zyra nën masa të rrepta sigurie(VIDEO)

Pas përfundimit të protestës së 94-të dhe nisjes së marshimit të protestuesve në drejtim të Komisariatit nr. 1, kryeministri Edi Rama ka dalë nga ambientet e Kryeministrisë.
Rama është larguar nga godina nën masa të rrepta sigurie, ndërsa në zonën përreth vijonte prania e shtuar e forcave të Policisë së Shtetit.
Dalja e kryeministrit nga institucioni ka ndodhur pak pasi protestuesit u larguan nga sheshi përpara Kryeministrisë dhe nisën marshimin, me destinacion Komisariatin nr. 1, ku kërkojnë lirimin e personave të shoqëruar gjatë protestës.
Protesta e sotme u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa efektivët përdorën edhe spraj lotsjellës për të penguar avancimin e protestuesve drejt godinës së Kryeministrisë.
Situata në Tiranë vijon të jetë e monitoruar nga forcat e rendit, ndërsa protestuesit kanë vijuar marshimin në drejtim të komisariatit.


