FOTO/ Martohet këngëtarja e njohur Kida! Dalin pamjet e para brenda ceremonisë luksoze në Romë

Këngëtarja e njohur Kida (Orhidea Latifi) po kurorëzon sot, më 1 shtator, dashurinë me partnerin e saj Ajbi, në një ceremoni të organizuar në Romë.
Pamjet e para nga dasma kanë nisur tashmë të qarkullojnë në rrjetet sociale. Në fotografitë dhe videot e publikuara nga të ftuarit, Kida shfaqet e veshur me një fustan të bardhë nusërie prej dantelle, me mëngë të gjata dhe vello.

Ceremonia po zhvillohet mes një dekori të mbushur me lule në nuanca rozë e pastel dhe me pamje panoramike mbi Romë. Nga pamjet e publikuara shihet edhe momenti kur çifti ngre gotat gjatë ceremonisë.

Dasma po mbahet në Villa Miani, rezidenca historike e vendosur në Monte Mario, një nga zonat panoramike të kryeqytetit italian. Vendndodhja e dasmës dhe data 1 shtator ishin raportuar prej kohësh, ndërsa sot kanë mbërritur edhe pamjet e para nga festa.
Kida dhe Ajbi u fejuan në dhjetor të vitit 2024, pas propozimit që këngëtarja mori në periudhën e ditëlindjes së saj. Pas afro dy vitesh nga fejesa, çifti ka zgjedhur Romën për të festuar martesën mes familjarëve, miqve dhe emrave të njohur të muzikës shqiptare.


