Rrëfimi i Dukës së Montpensier-it: Pse e mora Ismail Qemalin me anije në Vlorë

“Excelsior” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në faqen nr.2, një shkrim në lidhje me rrëfimin e Dukës së Montpensier-it mbi udhëtimin e tij në Shqipëri.
Ne kemi fatin e mirë të jemi në gjendje t’u sjellim lexuesve disa fragmente të shënimeve të marra nga Shkëlqesia e Tij Duka i Montpensier-it gjatë udhëtimit të tij të fundit në Shqipëri.
Pasi u larguam nga Korfuzi në orën 11 të mëngjesit, mbërritëm në orën 5 të mbrëmjes, ku në pamje shihej kepi i Linguetta-s, të cilin e parakalojmë, dhe ja ku gjendemi përpara gjirit të Vlorës. Çfarë do të gjejmë pas këtyre maleve që ende fshehin qëllimin e udhëtimit tonë ? Mekongu (anija e dukës) ngadalësoi pak dhe hyri në kalim. Së shpejti, gjiri duket i tëri : është bosh.
Pra, ndërkohë që ndalemi para një pike të bregdetit të quajtur Pasha-Liman, “motoskafi” ynë niset drejt Vlorës, duke shpjerë në breg mjekun dhe komandantin e Mekongut, të cilët, sipas rregullit, do të hyjnë në kontakt me autoritetet detare dhe sanitare. Dy shqiptarë, Gogiaman dhe Caccarigi, i shoqërojnë ata. Në duart e kujt do ta gjejnë qytetin ? Ende nuk e dimë.
Një orë më vonë, anija kthehet, duke sjellë disa shqiptarë të shquar, ndër të cilët Qazim Qemalin dhe Et’hem Qemalin, i biri i kreut të qeverisë së përkohshme, dhe Eqrem Vlorën (Eqrem Bej Vlora), nipin e vezirit të madh turk Ferid Pashës. Me ta erdhën gjithashtu drejtori i Bankës Austriake, një gazetar gjerman, z. Muller, i Neue Freie Press dhe mjeku ndërkombëtar, i cili është ende në detyrë edhe pse nuk paguhet (furnizohet) që prej një kohë të gjatë.
Në të vërtetë, të gjithë janë shkëputur që prej pesë muajsh nga komunikimet me pjesën tjetër të botës. Flota greke erdhi shpesh pranë gjirit; madje, ajo gjuajti dy herë me top në qytet, por kurrë nuk u përpoq të zbarkonte, thjesht u mjaftua me vrojtimin e hyrjes në port.
Falë disa gazetave të vjetra të dhuruara peshkatarëve të bregut nga oficerët e anijeve greke, popullata ka një nocion shumë të vogël në lidhje me ngjarjet e jashtme.
Vizitorët tanë na sigurojnë se siguria është e përsosur në tokë. Të gjithë i binden Qeverisë së Përkohshme dhe udhëheqësit të saj, Ismail Qemalit. Qeveria e re ka organizuar një milici shqiptare që mban rendin; Ajo mbledh rregullisht taksat dhe, në veçanti, ka monopolin e shitjes së kripës.
Por ushqimet janë të pakëta : sheqeri është me vlerë deri në 20 franga një kilogram; vetëm buka është ruajtur me çmim të arsyeshëm. Të gjitha mallrat e tjera arrijnë çmime fantastike (të larta); nafta kushton 50 franga bidoni. Pavarësisht vështirësive, gjendja sanitare e popullsisë është e shkëlqyeshme.
Vizitorët tanë, ende të surprizuar nga ardhja e Mekongut në portin e tyre, i braktisur prej një kohë të gjatë, na pyesin pa ndërprerje për ngjarjet e luftës. Ndërsa nata ka rënë, ne i shoqërojmë ata për në Vlorë nëpërmjet Gogiamani-t dhe Ciccarigi-t, dy shoqëruesit tanë shqiptarë, të cilët, të gëzuar se u kthyen në atdheun e tyre, do të qëndrojnë këtë natë në tokë.


