Rihapet dosja "21 janari", prokuroria riheton dy vrasjet pa autor

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të hape hetimet për vdekjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës për ngjarjen e 21 janarit 2011 në bulevardin "Dëshmorët e Kombit."
Ora News bën me dije se ka qenë një kërkesë e policisë së Tiranës para 10 vjetorit të 21 janarit që është drejtuar me shkresë Prokurorisë ku ka kërkuar rihapjen e hetimeve.
Sipas Prokurorisë kishte dhe prova të reja të cilat mund të zbardhin vrasjet e mbetura pa autor.

Një prej tyre është edhe vrasja e Aleks Nikës, pasi predha e gjetur në kokën e tij ishte e dëmtuar dhe nuk kishte mundësi të ekspertohej nga cila armë ishte goditur.
Një tjetër vrasje që mbeti e pazbardhur ishte dhe ajo e Hekuran Dedës. Për këtë arsye Prokuroria ka rihapur edhe për këtë vrasje.
Është rihapur pjesa që ishte pezulluar dhe do të rinisë edhe një herë ekspertimi i predhave dhe armëve që janë përdorur në ngjarjen e 21 janarit.
Do të merren në pyetje persona të tjerë të dëmtuar si dhe dëshmitarë që kanë qenë në vendin e ngjarjes.



