“Nesër më shumë”/ Mbyllet protesta qytetare kundër qeverisë: Jo negociata! Rama të japë dorëheqjen

Aktualitet

“Nesër më shumë”/ Mbyllet protesta qytetare

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike ka hyrë sot në ditën e saj të 48-të. Qytetarët u mblodhën edhe këtë pasdite në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur se protesta do të vijojë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Pas disa orësh fjalimesh, protestuesit zhvilluan marshimin e përditshëm në Bulevard, ndërsa organizatorët njoftuan se presin një pjesëmarrje edhe më të madhe në tubimin e së nesërmes.

Sipas organizatorëve, kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i klasës politike, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për situatën në vend.

Organizatori Edison Lika deklaroi një ditë më parë se lëvizja nuk do të hyjë në negociata dhe nuk do të ketë përfaqësim politik.

“Kjo lëvizje nuk do futet kurrë në negociata sepse kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd. Pika e parë e kësaj proteste është dorëheqja e Ramës”, u shpreh ai.

Gjatë protestës u përsëritën kritikat ndaj asaj që organizatorët e cilësuan si përpjekje për ndryshime kozmetike në qeveri, duke theksuar se protestuesit kërkojnë përgjegjësi politike dhe jo vetëm zëvendësime emrash.

Një nga momentet simbolike të protestës ishte pjesëmarrja e studentëve të veshur me pelerina diplomimi, të cilët mbanin mesazhin: “Ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi”, duke theksuar se e ardhmja e vendit duhet të ndërtohet me rininë në Shqipëri.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj kërkoi që hetimet të shtrihen edhe ndaj drejtuesve më të lartë të qeverisë.

“Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Protesta u shoqërua edhe me pankarta satirike dhe thirrje si: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, “Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit” dhe “Rama SPAK you!”.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

ME TE LEXUARAT