Reshjet e dendura të shiut në Tiranë, Ristani apel qytetarëve: Evitoni lëvizjet e panevojshme

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka njoftuar se reshjet e dendura të shiut do të vijojnë përgjatë gjithë ditës së sotme, ndërsa ka siguruar se situata aktualisht paraqitet nën kontroll.
Përmes një postimi në Instagram, Ristani thekson se ekipet e Bashkisë dhe shërbimet e emergjencës ndodhen në terren dhe janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo rast problematik, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me risk.
View this post on Instagram
"Reshjet e dendura të shiut do të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme. Situata paraqitet aktualisht nën kontroll, ndërsa ekipet e Bashkisë dhe shërbimet e emergjencës janë në terren dhe në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo problematike.
Ju lutemi të tregoni kujdes të shtuar, të shmangni lëvizjet e panevojshme në zonat problematike dhe të kushtoni vëmendje të veçantë të moshuarve, fëmijëve dhe personave më vulnerabël.
Për çdo situatë që kërkon ndërhyrje ose paraqet rrezik:
112 – Numri i emergjencave
0800 0 888 – Numri i Gjelbër pa pagesë i Bashkisë Tiranë
Faleminderit për bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë tuaj", shkruan Ristani.


