Rama paralajmëron: “Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve, kush ka le t’i heq vetë ose…”

Pas ndërhyrjes ndaj bareve dhe restoranteve që zënë hapësira publike pa leje, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se tani është radha e lavazheve makinash që të lirojnë trotuaret dhe hapësirat në mes të lagjeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh qartë se asnjë lavazh nuk do të lejohet të funksionojë duke larë makina në trotuaret e zonave banimi. “Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, prandaj kush i ka t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor,” shkruan kryeministri, duke paralajmëruar masa ligjore dhe gjoba për ata që nuk respektojnë rregullat.
Ky lajm vjen si pjesë e një aksioni më të gjerë të autoriteteve për të liruar hapësirat publike dhe për të mbrojtur ambientin urban, duke përmirësuar cilësinë e jetesës për banorët e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera.
Ndërhyrja kundër lavazheve ilegale është e domosdoshme për të parandaluar ndotjen mjedisore dhe zënien e hapësirave të përbashkëta që përdoren nga këmbësorët dhe banorët. Autoritetet kanë paralajmëruar se do të ushtrojnë kontroll të rreptë dhe do të marrin masa ligjore ndaj çdo shkelësi.


