“Rama n’burg, Beneti n’burg”/ Kryeministri pritet me protesta në Shkodër, qytetarët i bëjnë ‘pritë’

Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në hyrje të Shkodrës gjatë takimit të tij me socialistët në këtë qytet për 35-vjetorin e PS-së.
Me pankarta të ngjashme si ato në protestën në kryeqytet, protestuesit e shoqërisë civile janë zhvendosur pranë Kalasë së Rozafës, aty ku pritet dhe takimi i kryeministrit me socialistët e Shkodrës.
Raportohet se protesta është paqësore dhe në prani të forcave të policisë. Kjo është dita e tretë e protestës në Shkodër, të cilët kanë protestuar në qendër dhe në bashkinë e Shkodrës, ndërsa sot u zhvendos te Kalaja e Rozafës.
Më herët avokatja Sabina Meta i ka bërë thirrje shoqërisë civile në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubim.
“Kush dëshiron të marrë pjesë në tubim paqësor, është i ftuar të bashkohet. Ju lutem të tregoni maturi e të mos bini pre e provokimeve. Vendi ku do zhvillohet tubimi është tek ish- karburanti përballë me kalanë. Nuk do të bllokohen trotuaret, as qarkullimi, as rrugët. Është i njëjti tubim paqësor jo politik”, njoftoi ajo.


