Radhë e gjatë në Morinë, komandanti i kufirit në Kosovë: Kemi shtuar staf, por në fundjavë…

Radhët kilometrike në pikën kufitare të Morinës mes Shqipërisë dhe Kosovës vazhdojnë të jenë problem i madh që prejd itësh. Shkak për këtë është bërë masa e re anti- Covid, vendosur nga pala e Kosovës, për paraqitjen e testit negative para futjes në vend.
Për këtë situatë kaotike ka folur komandanti i kufirit në Kosovë, Nexhmi Krasniqi. Ai tha se që nga ky rregull, është shtuar staf në pikën kufitare, ndërsa thekson se në fundjavë është shtuar me 30% fluksi.
“Staf i shtuar prej një javë që të mos ketë pritje të mëdha. Dita e parë ka qenë e vështirë, por për shkak të shtimit të stafit pritjet e gjata ishin dy ditët e para. Ne kemi 30 % staf të shtuar në pikat kufitare që të mos ketë radhë të gjata. Të mos harrojmë se në këtë pikë kalojnë 6 mijë e deri 18 mijë mjete brenda 24 orëve do të thotë një fluks i madh dhe imagjino kur ka dhe qytetarët që nuk përmbushin dokumente dhe duhet të futen në karantinë.
Ne apelojmë që qytetarët të kenë dokumentet, vaksinën ose testin, që të mos ketë radhë të gjata. Nuk i kuptoj dot qytetarët që jo vetëm nuk kanë tampon apo vaksinë, por dhe kur i pyet ku po shkon thonë “për drek në Prizren”. Në këtë pikë kalon edhe transporti i mallrave dhe ai i udhëtarëve dhe jemi duke menaxhuara situatën, por nuk duhet të harrojmë fluksin e madh që vjen edhe për shkak të muajit gusht”, tha ai.
Masa nga qeveria e Kosovës vjen pasi në vend është rritur ndjeshëm numri i personave të infektuar por edhe i vdekjeve, atyre të moshave të reja. Të gjithë personat që do të futen në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, do duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit apo teste PCR/antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë./shqiptarja


