Qeveria miraton vendimin, Valdrin Pjetri emërohet në krye të Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Qeveria ka emëruar Valdrin Pjetrin në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP).
Vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të zhvilluar këtë të martë.
Me vendimin e qeverisë, Pjetri do të drejtojë tashmë Agjencinë e Trajtimit të Pronave, institucion përgjegjës për trajtimin e proceseve që lidhen me njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave, sipas legjislacionit në fuqi.
Valdrin Pjetri ka përfunduar studimet e larta në Financë-Kontabilitet dhe zotëron një master të nivelit të dytë në Lidership.
Karriera e tij në administratën publike përfshin disa funksione drejtuese. Nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka ushtruar detyrën e administratorit pranë Ministrisë së Financave. Në periudhën 2014–2017 ka qenë drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në vitin 2018 është emëruar drejtor i Hipotekës së Tiranës, ndërsa në vitin 2019 ka mbajtur detyrën e kryeregjistruesit dhe më pas atë të prefektit të Qarkut Shkodër.
Që prej vitit 2022 ka ushtruar funksionin e administratorit të AMI pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).


