Qarkullonte i armatosur në makinë, 59-vjeçari me precedent kapet mat nga policia. Dalin pamjet

Një 59-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë në automjetin e tij.
Sipas informacioneve paraprake, në pranga ka rënë Bilal Mullalli, banues në fshatin Zëmblak të Maliqit. Ai u ndalua gjatë një operacioni policor të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, në kryqëzimin e fshatit Dishnicë.
Burime bëjnë me dije se Mullalli dyshohej prej kohësh se mbante armë zjarri pa leje dhe arrestimi i tij erdhi pas informacioneve operative të siguruara nga strukturat e policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, të cilën 59-vjeçari e mbante me vete.
Sipas të njëjtave burime, Mullalli rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit, si dhe për të verifikuar nëse arma është përdorur apo ishte planifikuar të përdorej në veprimtari të tjera kriminale.



