Dy të arrestuar në Dibër/ Njëri sul'moi efektivët, tjetri theu masën e sigurisë

Policia e Shtetit ka vënë në pranga dy persona gjatë orëve të fundit në qarkun e Dibrës, pasi akuzohen për kundërshtim të dhunshëm të efektivëve dhe shkelje të masave të drejtësisë.
Në Dibër, një 30-vjeçar u arrestua në flagrancë pasi sulmoi fizikisht punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët e ndaluan sepse po qarkullonte me xhama të errësuar pa dokumentacionin përkatës.
Ndërkohë në Bulqizë, shërbimet e policisë prangosën një 27-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe nuk i ishte bindur urdhrit të efektivëve për të ndaluar.
Materialet procedurale për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme
Njoftimi:
Dibër/Bulqizë
Vihen në pranga 2 shtetas për kundërshtim të punonjësit të Policisë me dhunë dhe për thyerje të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasin O. L., 30 vjeç, banues në fshatin Kander, Dibër.
Ky shtetas, teksa qarkullonte me automjetin e tij, është ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe, pas verifikimeve, ka rezultuar se nuk dispononte dokumentacionin përkatës për xhamat e errësuar të automjetit.
Në momentin e plotësimit të masës administrative, 30-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
-Bulqizë/ Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, organizuan punën dhe, si rezultat, kapën dhe arrestuan shtetasin A. Xh., 27 vjeç, banues në Bulqizë, ndaj të cilit ishte caktuar nga Gjykata, masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.