Publikimi i të dhënave shëndetësore në Gjirokastër/ Komisioneri: Shkelje e ligjit dhe rrezik për privatësinë e qytetarëve

Aktualitet

Publikimi i të dhënave shëndetësore në

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar lidhur me publikimin në media dhe rrjete sociale të informacioneve që përmbajnë të dhëna shëndetësore për disa qytetarë në Bashkinë Gjirokastër.

Në reagim theksohet se të dhënat shëndetësore konsiderohen ndër më të ndjeshmet dhe mund të përpunohen vetëm në kushte të kufizuara dhe të përcaktuara shprehimisht me ligj.

Komisioneri vlerëson se publikimi i tyre pa bazë ligjore dhe pa interes të qartë publik përbën shkelje të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale.

Po ashtu, institucioni paralajmëron se përhapja e informacioneve të pakonfirmuara ose të pasakta mund të sjellë pasoja të rënda për privatësinë dhe dinjitetin e individëve të përfshirë.

Në këtë kuadër, i bëhet thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të verifikojnë informacionin përpara publikimit dhe të shmangin ndarjen e të dhënave sensitive.

Komisioneri kërkon gjithashtu fshirjen e menjëhershme të materialeve të publikuara në shkelje të ligjit, duke kujtuar se moszbatimi i këtyre detyrimeve mund të sjellë masa administrative dhe gjoba.

 

ME TE LEXUARAT