Protestuesja: Rasti i Zvërnecit tregon që sistemi ka dështuar, Nuk kemi ligj të ndalojë ndërtimet në zonat e mbrojtura

Aktualitet

Protestuesja: Rasti i Zvërnecit tregon që sistemi ka dështuar,

Një protestuese mori fjalën në podiumin e protestës duke ngritur si shqetësim ndërtimin në zonat e mbrojtura si dhe shfrytëzimin pa kriter, sipas saj, të lumenjve.

“Rasti i Zvërnecit nuk është vetëm një çështje mjedisore, por tregon që i gjithë sistemi ka dështuar. Që nga mënyra sesi lejet janë dhënë apo nuk janë dhënë, deri te mungesa e transparencës. Ky është një proces që përsëritet në çdo vendimmarrje mjedisore.

Sot janë shumë lumenj që po shkatërrohen pa dijeninë e banorëve që jetojnë aty dhe të ekspertëve. Jo më larg se dje dhe sot kemi parë sesi kanali i Erzenit është mbuluar me inerte. Është i vetmi vend afër Tiranës që kishte mbetur bukuri natyrore.

Fatkeqësisht Shqipëria është rasti më i keq në të gjithë Ballkanin sa i përket shfrytëzimit të lumenjve. Tani është radha e bregdetit, pre e zhvillimit jo të qëndrueshëm dhe të betonizimit. Jemi ankuar që kemi ligje të mira, por çalojmë te zbatimi. Sot nuk i kemi më as ligjet e mira, sepse ai që duhet të siguronte mbrojtjen e natyrës e hoqi dhe këtë status. Tashmë është legjitimuar çdo ndërhyrje në zonat e mbrojtura”, tha protestuesja.

ME TE LEXUARAT