Protestuesja akuza qeverisë: I përdor personat me aftësi të kufizuara vetëm për vota! Revoltë kundër korrupsionit

Një qytetare protestuese tha sot nga sheshi i revoltës qytetare në ditën e 67-të se protestojnë për të drejtat e tyre, kundër korrupsionit dhe abuzimeve të qeverisë, si dhe shkeljes së të drejtave të tyre.
E solidarizuar për të drejtat e minatorëve, teksa ishte veshur si e tillë në mënyrë simbolike, qytetarja tha se shteti edhe personat me aftësi të kufizuara i keqpërdor për vota.
Ajo deklaroi se protestuesit kanë shumë shqetësime, duke përmendur korrupsionin, keqmenaxhimin dhe mungesën e mbështetjes për shtresat në nevojë.
“Gjëja e parë që duhet të bëjmë është rezistenca. Duhet të kërkojmë edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ata përdoren vetëm si numër votash. Arsyeja pse protestojmë është korrupsioni, keqqeverisja. Janë shumë faktorë. Po shkojmë drejt një gjendjeje jetike për qytetarët”, u shpreh qytetarja.
Sipas protestueses, një nga shqetësimet kryesore është mënyra se si trajtohen grupet vulnerabël, të cilat, sipas saj, nuk marrin mbështetjen e duhur nga institucionet.
Protesta në Sheshin “Skënderbej” vijon prej më shumë se dy muajsh, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje për problematikat që ata i konsiderojnë shqetësime të rëndësishme sociale dhe ekonomike.


