Refuzohet kërkesa e PD për zgjatjen e afatit të “Territoriales”, Berisha: Raporti juaj i paligjshëm, do bëjmë gjithçka që shqiptarët të ngrihen kundër jush

Gjashtë efektivë policie janë dërguar në spital me lëndime si pasojë e hedhjes së sendeve të forta nga protestuesit.
Pas votimit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se po vepron në mënyrë të njëanshme dhe se po tenton të miratojë një reformë pa dakordësinë dhe diskutimin e plotë në komision.
Berisha tha se opozita kishte pranuar të merrte pjesë në proces pas kërkesave të Komisionit Evropian dhe qytetarëve, duke pretenduar se puna e saj ishte konkretizuar në një raport prej rreth 400 faqesh.
“Ne iu përgjigjëm një kërkese të prerë të Komisionit Evropian për angazhimin në komision parlamentar për reformën territoriale. Gjithashtu kemi pasur me dhjetëra e qindra kërkesa nga qytetarët shqiptarë që të merrnim pjesë dhe të mbronim kërkesat e tyre”, tha Berisha.
Sipas tij, raporti i mazhorancës nuk është diskutuar dhe miratuar në Komisionin e Reformës Territoriale, ndaj ai e cilësoi atë si “absolutisht të paligjshëm”.
“Ju sot paraqiteni këtu me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës. Ky është një brutalitet. Ky është një akt me të cilin ju doni me çdo kusht të largoni pushtetin nga qytetarët”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi mazhorancën se po shmang konsultimet dhe se po përdor shumicën parlamentare për të çuar përpara një reformë të njëanshme.
“Ju nuk keni as ligj, as Kushtetutë, as normë, as moral. Veproni në këtë mënyrë, por çfarë mendoni ju se shqiptarët nuk do ta kuptojnë?”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha paralajmëroi një përshkallëzim të aksionit opozitar, duke thënë se PD do të bëjë gjithçka që qytetarët të reagojnë kundër vendimeve të mazhorancës.
“Ne absolutisht do bëjmë gjithçka që ata të ngrihen në një kryengritje të përgjithshme të fuqishme kundër jush, në mënyrë që të bëjnë drejtësinë që u takon”, tha Berisha.