Dita e 18-të e tubimit para Kryeministrisë/ Procedohen penalisht 23 protestues, penguan qarkullimin e mjeteve në disa rrugë

Aktualitet

Dita e 18-të e tubimit para Kryeministrisë/ Procedohen penalisht 23

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 23 persona pas protestës së zhvilluar më 16 qershor, duke i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje të rendit publik dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.

Sipas uniformave blu, disa prej pjesëmarrësve kanë devijuar nga itinerari i njoftuar paraprakisht, duke bllokuar disa akse rrugore në kryeqytet.

Tiranë

Shërbimet e Policisë së DVP Tiranë, krahas angazhimit për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale për identifikimin e shtetasve që kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë tubimit.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se disa nga pjesëmarrësit në tubim kanë organizuar dhe drejtuar pjesëmarrësit, duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht.

Në lidhje me këtë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë proceduar penalisht 23 shtetas, konkretisht: A. K., A. Ll., L. K., E. K., V. D., E. Z., Xh. P., A. N., I. Rr., J. Sh., A. H., Xh. B., Sh. B., E. Q., T. H., S. M., E. K., D. K., A. Ll., L. D., B. K., R. S. dhe E. L.

Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ndërkohë, sqarojmë se më datë 17.06.2026, në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është paraqitur shtetasi R. M., i cili ka kallëzuar se gjatë protestës së zhvilluar më 16.06.2026 është kanosur nga shtetasi G. P., pas një debati lidhur me publikimin e një videoje në një rrjet social, ku pretendohej se shtetasi G. P. pengonte qytetarët të flisnin në podium.

Sipas kallëzimit, ky i fundit i është drejtuar me fjalë që kallëzuesi i ka konsideruar kërcënuese. Gjithashtu, kallëzuesi ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij ndihen të kërcënuar nga shtetasi G. P.

Policia ka thirrur dhe i ka marrë deklarim shtetasit G. P., i cili ka pranuar se ka kërkuar sqarime nga kallëzuesi për videon e publikuar në një rrjet social.

Në lidhje me këtë rast, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion