Protesta e 15-të për dorëheqjen e kryeministrit, pankartat ironike të qytetarëve: Rama n’burg, Belinda n’burg!

Kreativiteti dhe ironia nuk kanë munguar as në protestën e 15-të të qytetarëve para Kryeministrisë, ku mijëra pjesëmarrës kanë shpalosur pankarta me mesazhe politike, satirike dhe kritike ndaj qeverisë.
Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishin “Vdekje tradhtarëve, Rama n’burg”, “Belinda n’burg”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Rama jepe dorëheqjen”.
Nuk munguan as mesazhet me nota humori dhe ironie, si “Kim Jong Rama”, “Protesta çdo ditë në orën 18:00, oh shit, here we go again” dhe “Vallaj o Rame, unë jam më e ndershme se ti”.
Ndërkohë, disa protestues kishin zgjedhur t’u drejtoheshin edhe faktorëve ndërkombëtarë, përmes pankartës në anglisht: “Udhëheqës evropianë, kjo protestë bën thirrje për mbikëqyrje ndërkombëtare”.
Pankartat janë kthyer tashmë në një nga elementët më të spikatur të protestave qytetare, duke përcjellë përmes humorit, ironisë dhe mesazheve politike qëndrimet e protestuesve ndaj zhvillimeve në vend.













