Prokuroria dhe policia te Inceneratori i Elbasanit, shoqërohen katër zyrtarë të kompanisë "Eco Alb"!

Katër zyrtarë të kompanisë "Eco Alb" janë shoqëruar ditën e sotme në komisariat pasi Prokuroria dhe Policia zbarkuan në vendin ku ndodhet Inceneratori i Elbasanit. Sipas informacioneve, shoqërimi i tyre është bërë me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Bëhet me dije se të shoqëruarit janë drejtori i kompanisë, një inxhinier, një përgjegjës dhe një zyrtar i rëndësishëm i "Eco Alb". Gjithashtu raportohet se janë sekuestruar një sërë dokumentesh, ndërsa pritet një njoftim zyrtar për ndalimin e tyre.
Mësohet se organi i akuzës ka regjistruar dosje penale, ku fillimisht hetimi u hap për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Ndotjes së ajrit”, sipas dosjes. Konkretisht bëhet fjalë për zjarrin që përfshiu inceneratorin e Elbasanit në korrik të vitit 2023. Prokuroria po heton për shkaqet e këtij zjarri dhe impaktin e jashtëzakonshëm që ky zjarr pati në mjedis.
Prokuroria ndërkohë ka zgjeruar hetimet ku përveç nenit 151 ka përfshirë edhe nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale i cili përfshin veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Gjithashtu mësohet se tashmë është duke hetuar shoqërinë Eco Alb për këtë vepër penale.


