“Privatizimi i “Partizanit” nuk ishte më në kompetencën e Presidentit”, Bamir Topi në GJKKO: Nuk kam pirë asnjë kafe me Malltezin

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në procesin për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.
Gjatë dëshmisë së tij, Topi u shpreh se nuk ka pasur kontakte personale me Malltezin, duke deklaruar se nuk është ulur asnjëherë me të për të pirë kafe. Ai tha se njeh disa prej personave të përmendur në proces për shkak të funksioneve të tyre apo njohjeve familjare, por jo për lidhje të drejtpërdrejta me çështjen.
Duke folur për periudhën kur ka mbajtur detyrën e Presidentit të Republikës, nga viti 2007 deri në vitin 2012, Topi tha se si kreu i shtetit ishte edhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe se procesi i planit të përhapjes së ushtrisë ishte një procedurë teknike që përgatitej nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes.
Sipas tij, dokumentacioni që lidhej me planin e përhapjes vinte në Presidencë vetëm për përmbyllje juridike. Topi deklaroi se privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani” ishte në kompetencë të institucioneve qeveritare pasi prona kishte dalë nga plani i përhapjes.
BAMIR TOPI:
Nuk jemi ulur qoftë për të pirë asnjë kafe me Jamarbër Malltezi. Me z. Begeja kemi banuar në lagjen e vjetër me distancë 400-500 metër. E njoh si pjesëtar të një familjeje të madhe në Tiranë. Z. Bektashi e njoh si një politikan të dikurshëm, si një ish-ministër, po nuk na lë memoria. Andia Pustinën nuk e njoh. Ndoshta ngatërrohem për z. Bektashi, por kam përshtypjen se ka qenë ministër gjatë qeverisë “Meksi”.
24 korrik 2007 – 24 korrik 2012 ka qenë periudha kur unë kam ushtruar detyrën e Presidentit. Unë isha dhe komandant i përgjithshëm i FA-ve si President. Plani i përhapjes vinte si projekt për t’u përmbyllur që shkonte në funksion të anëtarësimit në NATO.
Procesi i planit të përhapjes ishte një proces teknik. Përgatitja bëhej nga Shtabi i Përgjithshëm në Ministri të Mbrojtjes.
Në 2 prill 2008 erdhi ftesa për NATO. Gjithë procesi asistohej nga ekspertë të NATO-s. Ishte proces që tek Presidenti vinte vetëm për t’u mbyllur juridikisht. Nuk mund të precizoj sa herë ka mbërritur tek unë. Duhet të kenë qenë disa procedura.
Procesi i privatizimit të ish-Klubit Sportiv Partizani deri në momentin e daljes nga plani i përhapjes vinte te Presidenti. Në momentin që dilte prej tij, nuk ishte më përgjegjësi e Presidentit.
Unë e kam pritur Vladimir Qiriazin, edhe për shkak të funksionit si gjeneral. Në fund të ditës, shefi i kabinetit më tha që u konsultua, ndamë mendimet, por është një terren i dalë nga plani i përhapjes në 2007, që do të thotë që është në kompetencën e strukturave të qeverisë. Siç është edhe procedura në Presidencë, edhe tani, unë njoftohesha. Por në 29 gushtin e 2007, që doli nga plani i përhapjes, ishte në varësi të qeverisë, nuk ishte një problem që lidhej me institucionin që drejtoja unë.
SPAK: A keni dijeni që sektori anti-korrupsion në KM të jetë angazhuar për Partizanin?
Topi: Asnjë dijeni.
SPAK: Jeni njoftuar shkresërisht nga Vladimir Qiriazi për ndonjë problematikë?
Topi: Unë atë mbaj mend. Takimin dhe konsultën.
SPAK: Kush i propozonte shkarkimet e gjeneralëve?
Topi: Nuk di ta them si procedurë. Ishte pjesë e propozimit që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Për shkarkimin e komandantit Vladimir Qiriazi, propozimin besoj e ka bërë Shtabi i Përgjithshëm.


