“Prit të shoh lajmet”/ DETAJE: Ja përse Refit Buzi refuzoi të dorëzohej në polici dhe vrau veten

Rozalinda Plaka, e reja prindërit e së cilës u vranë në tragjedinë e ndodhur në Vidhishtë, pritet të merret sërish në pyetje nga prokurorët e çështjes. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dëshmia e saj e parë, e dhënë menjëherë pas përfundimit të pengmarrjes, ka qenë e paplotë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Sipas burimeve pranë familjes Plaka, 25-vjeçarja ka rrëfyer se në momentin e sulmit ishte në gjumë. Ajo është zgjuar nga krismat e armës dhe, sapo ka dalë nga dhoma, ka parë babanë të shtrirë në tokë, ndërsa ish-i fejuari i saj, Refit Nertil Buzi, e ka kërcënuar me armë, e ka marrë me forcë dhe e ka futur në automjet. Më pas ai është larguar drejt zonës kodrinore të Kurjanit, ku e mbajti peng për rreth katër orë.
Ndërkohë, Prokuroria e Fierit vijon hetimet jo vetëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, por edhe për një procedim tjetër penal që rëndonte ndaj 35-vjeçarit për veprën penale të mashtrimit.
Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë personalisht në negociatat me Buzin për ta bindur të dorëzohej, është njëkohësisht prokurori që hetonte edhe çështjen e mashtrimit ndaj tij. Sipas burimeve, Buzi ushtronte aktivitet në tregtinë e perimeve, duke u premtuar fermerëve eksportimin e produkteve në tregjet europiane. Disa prej tyre e kallëzuan penalisht, pasi pretendojnë se nuk morën pagesat për mallin që i kishin dorëzuar.
Në momentin e ngjarjes, Buzi ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, i akuzuar për përndjekje ndaj ish-të fejuarës së tij, Rozalina Plaka.
Katër vite më parë, gjatë kohës që jetonte në Angli, 35-vjeçari kishte deklaruar se ishte marrë peng nga disa bashkatdhetarë, të cilët i kishin kërkuar një shumë të konsiderueshme parash për lirimin e tij.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë negociatave, prokurori Jorgji nuk i kishte treguar Buzit se ish-vjehrri kishte humbur jetën, por i kishte komunikuar se ai dhe bashkëshortja ndodheshin të plagosur në spital. Megjithatë, 35-vjeçari ndiqte zhvillimet përmes telefonit celular.
Siç raporton gazetari i Top Channel, Neritan Trifoni, rreth orës 15:00, Buzi ishte pranë dorëzimit, por para se të merrte vendimin u është drejtuar negociatorëve me fjalët: “Prit, të shoh lajmet”. Pasi mësoi nga mediat se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, ai refuzoi sërish të dorëzonte armën.
Rreth një orë më vonë 35-vjeçari qëlloi veten me armë, duke i dhënë fund jetës në sy të forcave të shumta të policisë që kishin rrethuar zonën.


