Pastronte paratë e grupit “Çopja”, arrestohet në Romë i kërkuari Klajdi Merkaj, zbardhen detaje

Klajdi Merkaj, është arrestuar të mërkurën 16 tetorit në Romë nga policia italiane pasi ishte në kërkim ndërkombëtar për llogari të dosjes “Çopja” të SPAK.
Ndaj tij kanë nisur edhe procedurat e ekstradimit, teksa shtë njoftuar Interpol Tirana.
Arrestimi i të riut që akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Fran e Hajdar Çopja, krerëve të grupit kriminal në Elbasan dhe në vendet evropiane, është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Shkalla e parë dhe Gjykata e Posaçme e Apelit la me heret në fuqi masën e sekuestros për pasuritë e Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj.
Masat e sekuestros u vendosën pas operacionit të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme më 31 korrik, ku kërkoi arrestimin e 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11 prej tyre, ndërsa për dy të tjerë, u komunikua akuza në burg pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale.
Për këtë operacion nga i cili shumica e masave të sigurisë nuk u ekzekutuan dot, SPAK ka nisur hetime për dekonspirim, duke sekuestruar telefona si dhe marrë dëshmi të një sërë zyrtarëve policor, përfshirë agjentë të BKH-së e punonjës policie që ishin angazhuar për ekzekutimin e masave të sigurisë.
Grupi në fjalë, ku bënin pjesë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, akuzohen nga Prokuroria për një sërë atentatesh e vrasjesh, ndërsa ndaj tyre nisi edhe hetimi pasuror.


