Parkim i gabuar dhe mosbindje ndaj policisë në Kukës/ Dy drejtuesit e automjeteve procedohen penalisht

Policia Rrugore në Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë së qytetit, ka ndërmarrë masa konkrete për të ndëshkuar shkeljet që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve. Gjatë një kontrolli rutinë në terren, efektivët evidentuan dy raste flagrante të parkimit të parregullt, që po shkaktonin bllokim të qarkullimit rrugor.
Sipas të dhënave zyrtare, automjetet e parkuara në mënyrë të gabuar krijonin vështirësi për drejtuesit e tjerë të mjeteve, si dhe për këmbësorët. Gjatë ndërhyrjes për të normalizuar situatën, efektivët e Policisë u përballën me rezistencë dhe mosbindje nga ana e drejtuesve të automjeteve, shtetasit A. H., 41 vjeç, banues në fshatin Pobreg, dhe Q. I., 47 vjeç, me banim të përkohshëm në Londër.
Të dy shtetasit refuzuan të paraqesin dokumentacionin përkatës të mjetit dhe të bindeshin ndaj urdhrave të policisë. Si rezultat, ndaj tyre është iniciuar procedim penal për dy vepra: “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kukësit njofton se do të vijojë kontrollet në mënyrë të vazhdueshme dhe të papritura në qytet, për të garantuar rendin dhe sigurinë rrugore, si dhe për të parandaluar shkeljet që cenojnë jetën e përditshme të qytetarëve.


