Paratë pastroheshin në Shqipëri! Goditet grupi kriminal në Itali, drejtohej nga një shqiptar

Një operacion i madh antidrogë në Itali ka çuar në arrestimin e 24 personave, mes tyre një shqiptar 36-vjeçar, i cilësuar nga hetuesit si “forca lëvizëse” e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës në zonën e Foggias. Hetimet zbuluan se grupi kriminal siguronte fitime deri në 200 mijë euro në muaj, ndërsa paratë e përfituara pastroheshin në Shqipëri përmes kanaleve të ndryshme.
Sipas mediave italiane, hetimi nisi pas mbikëqyrjes së shqiptarit me precedent penal, i cili kishte ngritur një bazë operative në qytet dhe menaxhonte blerjen me shumicë të drogës përmes bashkatdhetarëve në Italinë Veriore. Ai konsiderohej “kyçi” dhe “motori” i trafikut të kokainës, që furnizonte tregun lokal dhe më gjerë.
Në rrjetin kriminal ishin përfshirë italianë, shqiptarë, gjeorgjianë dhe rumunë, të moshës nga 23 deri në 61 vjeç. Aktiviteti i tyre shtrihej përtej Foggias, në Rieti, Emilia Romagna dhe Molise, duke krijuar një zinxhir të mirëorganizuar shpërndarjeje dhe pastrimi parash.
Hetimet treguan se organizata kontrabandonte 5 deri në 10 kilogramë kokainë në muaj, të blerë me mbi 22 euro për gram dhe të shitur më pas në treg për 30 deri në 50 euro, varësisht nga sasia dhe cilësia. Gjatë kontrollit, karabinierët sekuestruan 2 kilogramë kokainë me origjinë nga Bolivia, me pastërti 96%, që dëshmonte nivelin e lartë të drogës së përdorur nga grupi.
Për të shmangur zbulimin, trafikantët përdornin makina me funde të rreme, telefona të koduar (kriptofonë) dhe depo të fshehta për ruajtjen dhe paketimin e lëndës narkotike. Në veri të Italisë, në Parma, u zbulua një rrjet paralel i të njëjtit grup, që vepronte në mënyrë të pavarur, duke rritur më tej qarkullimin e drogës dhe të ardhurat.
Hetuesit zbuluan gjithashtu se fitimet e trafikut transferoheshin drejt Shqipërisë, përmes shoferëve të autobusëve dhe kamionëve, me qëllim shmangien e gjurmëve bankare. Në një prej rasteve, në janar, karabinierët sekuestruan 40 mijë euro në para të gatshme në një zonë pushimi përgjatë autostradës SS16.
Nga 24 të arrestuarit, 19 janë dërguar në burg, ndërsa 5 janë vendosur në arrest shtëpie me byzylyk elektronik. Në të njëjtën kohë, janë lëshuar edhe 9 urdhër-arreste të tjera për persona të tjerë të dyshuar që ende ndodhen nën hetim.


