Parashikimi i motit për sot, ulen temperaturat, rikthehen reshjet e shiut në këto zona

Dita e sotme, e hëna e 4 gushtit, do të karakterizohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme në të gjithë vendin, duke shënuar një rikthim të reshjeve dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, paraditja do të nisë me kthjellime, por situata do të ndryshojë gradualisht. Gjatë ditës do të ketë shtim të vranësirave mesatare deri të dendura, veçanërisht në zonat malore.
Në pjesën më të madhe të territorit parashikohen reshje lokale shiu me intensitet të ulët, ndërsa në disa zona, kryesisht në veri të vendit, priten episode të shkurtra shtrëngatash të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Era do të fryjë e lehtë në pjesën më të madhe të vendit, me drejtim veriperëndim–veri dhe një shpejtësi mesatare prej 7 m/s. Megjithatë, në zonat bregdetare dhe luginore era do të jetë më e fortë, duke arritur deri në 14 m/s në periudha të caktuara të ditës.
Sa i përket kushteve detare, valëzimi parashikohet i lehtë deri mesatar, me forcë 1 deri në 3 ballë.
Kushtet atmosferike pritet të sjellin freskim pas ditëve me temperatura të larta, por rekomandohet kujdes në qarkullim, veçanërisht në zonat ku priten shtrëngata dhe breshër.


