Paguan votuesit me bileta udhëtimi, detaje nga hetimi i SPAK për Bashkinë e Rrogozhinës! Si u zbulua korrupsioni

Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 5 persona të akuzuar për blerje votash në zgjedhjet lokale të përsëritura të 23 korrikut të vitit 2023 në Rrogozhinë, mes tyre edhe kandidati për kryebashkiak i Partisë Demokratike në këtë qytet, Shkëlqim Hoxha.
Rasti i hetimit të krimit elektoral është konfirmuar sot nga vetë SPAK, ku jepen edhe detaje të hetimit dhe emrat e 5 të pandehurve. Të akuzuarit janë Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi, Engjëll Cara dhe Shkëlqim Hoxha. Katër prej tyre akuzohen se kanë ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm në 64 raste, për të votuar Hoxhën si kryebashkiak.
Hetimet treguan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm, të dokumentuara në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
SPAK thotë se "kandidati demokrat, edhe pse ishte në dijeni, nuk e ka kallëzuar rastin, duke shkelur ligjin".
Hetimet fillestare i nisi Prokuroria e Durrësit dhe Policia, që më pas për mungesë kompetence ia kaluan Prokurorisë së Posaçme, teksa tani të pestë janë marrë të pandehur me akuzat e ngritura nga SPAK dhe dosjen që është referuar për gjykim në GJKKO. Zgjedhjet e përsëritura të 23 korrikut në Rrogozhinë i dhanë goditje aleancës së Sali Berishës dhe Ilir Metës dy vite më parë në koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Fitorja e kandidatit socialist Edison Memolla nuk ishte me 21 vota diferencë, si në zgjedhjet e 14 majit, por me 1752 vota.
Në numërimin e 54 kutive, socialisti Memolla doli fitues me diferencë ndaj Shkëlqim Hoxhës së PD-së, në zgjedhjet e përsëritura, pas shpalljes së pavlefshme të zgjedhjeve të 14 majit. Rezultati doli 6658 vota për Memollën, kundrejt Shkëlqim Hoxhës të BF me 4906 vota.


