Organizuan lojëra fati, AMP ekzekuton masat e sigurisë për tre punonjës policie në Elbasan

Aktualitet

Organizuan lojëra fati, AMP ekzekuton masat e sigurisë për tre

Tre punonjës policie janë vënë nën masa sigurie nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në organizimin e lojërave të fatit dhe në shpërdorim të detyrës.

Masat e sigurisë të ekzekutuara ndaj tyre janë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të vendosura pas një hetimi disa mujor të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Sipas AMP, nga hetimet e kryera me metoda speciale ka rezultuar se punonjësit e policisë, në bashkëpunim me shtetasin F. D., i arrestuar më datë 23 mars 2025, kanë vënë në dispozicion ambientet e bar-kafeve në pronësi të tyre për organizimin e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit.

Në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë Inspektor H. D., i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ishte Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe aktualisht shërben si trupë sigurie në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë Gjadër pranë DVP-Lezhë, Inspektor G. D., ish-oficer patrulle në Elbasan dhe aktualisht me të njëjtin pozicion në Komisariatin e Policisë Kukës, si dhe Inspektor E. SH., me detyrë në Shërbimin e Trafikut Interurban dhe Urban pranë DVP-Elbasan.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se punonjësi i policisë E. SH. ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, duke kërkuar të dhëna të mjeteve për llogari të personave të tretë, veprim që përbën shkelje të rëndë të detyrës dhe cenon integritetin e sistemit të informacionit të policisë.

Veprimet e dyshuara përfshijnë organizimin dhe ushtrimin e lojërave të fatit në bashkëpunim, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara dhe shpërdorimin e detyrës, të parashikuara nga nenet 197 dhe 25, 198 dhe 248 të Kodit Penal.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe integritetit të strukturave të rendit. AMP fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090 ose duke dërguar një email në adresën [email protected].

ME TE LEXUARAT