“S’ke paguar qiranë e makinave!”/Morën peng të riun dhe e dhunuan, arrestohen dy vëllezërit dhe kushëriri i tyre në Lezhë

Tre persona janë arrestuar në Lezhë pasi dyshohet se morën me forcë një 28-vjeçar dhe e dhunuan, pas një konflikti për pagesat e dy automjeteve të marra me qira.
Sipas policisë, ngjarja nisi pas një kallëzimi nga babai i 28-vjeçarit, i cili deklaroi se djali i tij ishte marrë me forcë nga disa persona dhe ishte transportuar me automjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë identifikuar dhe kapur pak minuta pas kallëzimit tre të dyshuarit: dy vëllezër, 28 dhe 22 vjeç, si dhe kushëririn e tyre 22-vjeçar.
Njoftimi
Morën me forcë, në automjet, dhe dhunuan një 28-vjeçar, me pretendimin se nuk kishte paguar qiratë, për 2 automjete të marra në subjektin e tyre, arrestohen 2 vëllezër (administratorë të subjektit) dhe kushëriri i tyre.
Sekuestrohet automjeti në të cilin u mor me forcë, dhe u transportua nga Kruja në Lezhë, 28-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një 70-vjeçari, se djali i tij, 28 vjeç, ishte marrë me forcë, në automjet, dhe transportuar, nga disa shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë mundësuan identifikimin, lokalizimin dhe kapjen, pak minuta pas kallëzimit, të 3 autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëririt të tyre, shtetasit E. M., 22 vjeç.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 3 shtetasit, me vetëgjyqësi, kanë marrë me forcë, në automjet, 28-vjeçarin, në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ky i fundit nuk kishte paguar paratë, për 2 automjete të marra me qira, në subjektin që administronin 2 vëllezërit e arrestuar.
3 shtetasit e kanë transportuar 28-vjeçarin te në një karburant në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.
28-vjeçari u transportua në spitalin rajonal të Lezhës, ku mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim.


