Nis procesi i rinumërimit të kutive të Fierit, Lapaj kërkon t'i marrë një mandat socialistëve! Rrezikohet edhe Zegjine Çaushi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur sot zyrtarisht rinumërimin e votave për qarkun Fier, pas përfundimit të procesit të numërimit për Tiranën.
Procesi po zhvillohet në Pallatin e Sportit "Farie Hoti", ku pritet të hapen 587 kuti votimi për qarkun e Fierit, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve fillestare.
Kujtojmë se rinumërimi për këtë qark është kërkuar nga koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, të drejtuar ga Adriatik Lapaj, i cili kërkon t'i marrë një mandat PS-së.
Koalicionit i duhen vetëm 517 vota për ta marrë atë mandat, dhe nëse rezultati ndryshon, kandidati Azmer Duleviç do të hyjë në Kuvend duke zëvendësuar socialistin Ramion Kurti.
Po ashtu, sipas të dhënave, i rrezikohet mandati edhe Zegjine Çaushit. Kjo e fundit ka 61 vota më shumë se kandidatja tjetër e listës së hapur të PS-së, Mirdita Bardho.
Kujtojmë së më 27 qershor, përfundoi procesi i rinumërimit të 1207 kutive të votimit për Tiranën. Ky proces, nuk solli asnjë ndryshim të rezultatit as për subjektet dhe as për kandidatët.


