Neutralizohen 2 vatrat e zjarrit në Kurbin, kryetarja e Bashkisë: Të vihen para drejtësisë përgjegjësit

Janë vënë nën kontroll pas disa orësh punë, 2 vatrat e zjarrit që rrezikonin 5 banesa në Mamurras. Ka qenë kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara që e ka dhënë lajmin, ndërsa thekson se dëmet nga zjarri janë të mëdha. Përmes një postimi në Facebook, Cara u kërkon autoriteteve ëprkatëse që të hetojnë shkakun e zjarrit.
“Pas orësh të tëra përpjekjesh janë neutralizuar vatrat e zjarrit në zonën e Mamurrasit duke lënë pas dëme të mëdha. Mirënjohje për çdokënd që dha kontribut në këtë ditë të vështirë, së pari për forcat e Zjarrëfikseve Kurbin, Lezhë, Mirditë, Krujë e Kamëz, trupat e Forcave të Armatosura, Policinë e Shtetit e çdo banor të zonës për ndihmën e pakursyer.
U takon organeve kompetente t’u shkojnë deri në fund hetimeve për shkakun e rënies së zjarrit dhe vënien përpara drejtësisë të përgjegjësve të kësaj katastrofe.
Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo banori të Kurbinit për kujdes të shtuar dhe përgjegjshmëri për të mos krijuar situata të tilla që sjellin dëme të pariparueshme dhe rrezik për jetën e njerëzve të tjerë”, shkruan ajo.


