Ndezën zjarr në tokat e tyre bujqësore, por flakët dolën jashtë kontrollit/ Në pranga një 58-vjeçar në Fier, procedohet penalisht një tjetër

Aktualitet

Ndezën zjarr në tokat e tyre bujqësore, por flakët

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Fierit pasi dyshohet se ndezën zjarre për djegien e mbetjeve bimore, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme, si dhe duke rrezikuar banesat pranë zonave të prekura.

Njëri prej tyre u arrestua në flagrancë, ndërsa ndaj tjetrit nisi procedimi penal në gjendje të lirë.

Fier

Ndezën zjarr në tokat e tyre bujqësore për djegien e mbetjeve bimore, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme, si dhe duke rrezikuar banesa pranë zonave të prekura.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, brenda pak orësh bënë të mundur identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të 2 shtetasve, autorë të dyshuar të 2 rasteve të zjarrvënies në fshatra të ndryshëm të qarkut Fier.

Autorët e dyshuar u konstatuan dhe u kapën në flagrancë pranë vatrave të zjarrit që kishin ndezur.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. Sh., 58 vjeç, banues në fshatin Varibop, Fier, pasi u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në tokën e marrë me qira prej tij. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen F. P., 78 vjeçe, banuese në fshatin Fermë Rroms, Fier, e cila u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në afërsi të banesës së saj.

Nga veprimet hetimore paraprake rezulton se zjarret e ndezura prej tyre për djegien e mbetjeve bimore janë përhapur në sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar dëme në bimësi dhe pemë frutore, si dhe duke rrezikuar banesa në afërsi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke iu garantuar anonimat, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

ME TE LEXUARAT